Të ardhurat buxhetore rriten 11.5 për qind në janar-shkurt 2026
Të ardhurat në buxhetin e shtetit arritën në 130.3 miliardë lekë për dy muajt e parë të 2026, duke shënuar një rritje prej 11.5 për qind krahasuar me një vit më parë.
Sipas Ministrisë së Financave, të ardhurat janë realizuar në masën 104.4 për qind të planit për periudhën, ndërsa përfaqësojnë rreth 15.8 për qind të planit vjetor.
Rritje nga tatimet dhe doganat
Të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat arritën në 80.8 miliardë lekë, me një rritje prej 3.9 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të ardhurat doganore u realizuan në 33.1 miliardë lekë, ndërsa TVSH në import arriti në 21.5 miliardë lekë. Akcizat kontribuan me 10 miliardë lekë, në rritje 5.9 për qind.
Nga ana tjetër, të ardhurat nga taksat doganore arritën në 1.3 miliardë lekë, duke shënuar rritje me 8 për qind.
TVSH dhe tatimi mbi fitimin në rritje
Të ardhurat nga administrata tatimore arritën në 47.7 miliardë lekë, me rritje 8.2 për qind krahasuar me një vit më parë.
TVSH neto në vend arriti në 18.5 miliardë lekë, me rritje 14.9 për qind, ndërsa tatimi mbi fitimin u rrit me 15.6 për qind, duke arritur në 7.4 miliardë lekë.
Edhe të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale shënuan rritje, duke arritur në 14.1 miliardë lekë.
Rriten fondet sociale
Të ardhurat nga fondet speciale, që përfshijnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, arritën në 32.2 miliardë lekë, me rritje 7.7 për qind dhe realizim të plotë të planit.
Shpenzimet rriten më ngadalë
Shpenzimet publike për periudhën janar-shkurt arritën në 100.6 miliardë lekë, me një realizim prej rreth 92 për qind të planit.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, shpenzimet janë rritur me 7.2 për qind, ose rreth 6.7 miliardë lekë më shumë.